Tom Hanks asnjëherë nuk ka thënë se Kosova është Serbi dhe as që një
ditë do të jetë e tillë. Raportimet e medieve serbe i ka përgënjeshtruar
ekskluzivisht për “Kohën Ditore” zëdhënësja e yllit hollivudian, Leslee
Dart. Ajo ka thënë se lajmi “Tom Hanks i mbron serbët: Kosova është
Serbi”, është krejt i pavërtetë.
“Ky lajm është krejtësisht një
trillim. Tom Hanks asnjëherë nuk e ka thënë këtë. Ju lutem mos shkruani
asgjë për këtë, meqë ai asnjëherë nuk e ka thënë një gjë të tillë”, ka
thënë ajo, pasi ka mësuar nga gazeta për raportimet e mediave serbe. Por
jo vetëm kaq. Pasi gazeta ia ka dërguar linkun me versionin anglisht të
lajmit që është shpërndarë gjithandej,Dart, nëpërmjet përgjigjeve me
e-mail, ka dhënë edhe sqarime shtesë. Ajo po ashtu e ka mohuar lajmin se
ylli hollivudian është duke realizuar ndonjë film me Steven Spielbergun
për historinë e Izraelit. Mediat serbe kishin raportuar se deklaratën
për Kosovën e kishte dhënë në një intervistë për televizionin kabllor
amerikan “E”, ku ai raportohej se kishte folur për një dokumentar që
trajton fatin e hebrenjve dhe këtu e kishte bërë lidhjen edhe me
“dëbimin e serbëve nga Kosova”.
Megjithëkëtë, Hanks nuk do të dalë me ndonjë koment publik për këtë çështje.
“Jo,
z. Hanks nuk do ta komentojë këtë. Kjo është plotësisht e pavërtetë.
Tom Hanks nuk e ka thënë asnjëherë një gjë të tillë. Dhe as ai, as z.
Spielberg nuk janë duke bërë ndonjë film ose dokumentar për historinë e
Izraelit”, ka thënë Dart.
“Kjo krejtësisht është një trillim”, ka përsëritur ajo.
Gjatë
ditës së martë, nëpër medie serbe gjithandej ka qenë i shpërndarë lajmi
me titull “Tom Hanks i mbron serbët: Kosova është Serbi”. Por, askund
nuk është parë versioni origjinal i intervistës që thuhet se ai ka dhënë
për televizionin kabllor amerikan, “E”. Ueb faqja
“theorthodoxchurchi.info”, me seli në Los Angeles që e ka shpërndarë më
të madhe këtë artikull, të hënën i kishte thënë “Kohës Ditore” se burimi
i këtij artikulli janë mediet serbe.
“E kemi përkthyer nga një
burim serb”, kishte thënë George Alexander, nga ky rrjet amerikan e në
të cilin shumica e mediave serbe bazohen si burim i parë i
informacionit. “Korrespodenti ynë nga Serbia e ka përkthyer për ne. Nuk
kemi më shumë detaje, por nëse kemi diçka më shumë do t’ju njoftojmë”,
ka shkruar Alexander teksa krejt në fund kishte shtuar: “E dini, Tom
Hanks është konvertuar në ortodoks”.
“Ylli i famshëm
hollivudian, fitues i dyfishtë i çmimit ‘Oscar’, aktori Tom Hanks,
papritur ka dalë në anën e serbëve në spektaklin e televizionit kabllor
‘E’ dhe ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë Serbi dhe kështu një ditë
do të bëhet sërish. Duke folur për fillimin e xhirimeve për një
spektakël hollivudian për historinë e shtetit të Izraelit, të prodhuar
nga Steven Spielberg, ku ai luan rolin kryesor, ai ka krahasuar vuajtjet
e Golgotës dhe të hebrenjve me vuajtjet e serbëve të Kosovës”, është
shkruar në lajmin e publikuar fillimisht në “theorthodoxchurchi.info”, i
shpërndarë më pas gjithandej nëpër media serbe.
“Gjatë Luftës
së Dytë Botërore hebrenjtë kanë vuajtur shumë nga Holokausti e të mos
flas se çfarë ka ndodhur qindra vjet më herët. Përkundër kësaj, ata
asnjëherë nuk e kanë humbur besimin dhe e kanë kthyer prapë shtetin e
tyre. Ata kanë një mijëvjeçar të tërë që përshëndetin njëri - tjetrin
duke thënë ‘shihemi vitin tjetër në Jerusalem’. Rastin e njëjtë e kemi
edhe sot, kur bëhet fjalë për Kosovën. Atje dikur kanë jetuar serbët,
kanë ngritur manastiret dhe kanë pasur mbretërit e tyre e pastaj erdhën
shqiptarët dhe i dëbuan serbët. Në fund të shekullit XX, mbi serbët kanë
rënë bombat e NATO-s, por ata ende nuk duan ta pranojnë që Kosova është
shtet i pavarur dhe thonë “Kosova është Serbi”, njashtu siç kanë thënë
dikur hebrenjtë të cilët më në fund megjithatë u kthyen në tokën e tyre e
mbase kështu do të ndodhë edhe me rastin e serbëve”, ka qenë deklarata
që i ishte montuar fituesit të dyfishtë të çmimit “Oscar”.
Por
kjo nuk është hera e parë që emri i yllit hollivudian Tom Hanks
përfshihet në polemikën rreth Kosovës e Serbisë. Ngjashëm nuk është as
hera e parë që yjeve të Hollywoodit u është dashur të përgënjeshtrojnë
mediet serbe.
Pesë vjet më parë, gati e njëjta histori kishte
ndodhur me George Clooneyn, kur mediat serbe raportonin se ai kryesonte
një grup aktorësh të njohur të cilët do të protestonin kundër pavarësisë
së Kosovës, në janar të 2008-s, gati një muaj para shpalljes së
pavarësisë. Në listën e “protestuesve” ishte futur edhe Hanks përderisa
kryesuese e protestës bashkë me Clooneyn ishte edhe Sharon Stone. Gazeta
serbe “Press Online” shkruante se përveç Clooney, Stone dhe Hanks,
kundër pavarësisë ishin edhe Michael Douglas, Robert de Niro dhe Johnny
Depp.
Tom Hanks, në
tetor të 2011-s në Berlin u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të
Kosovës, Enver Hoxhaj. Ky i fundit i kishte bërë ftesë aktorit me nam që
ta vizitonte Kosovën. Hoxhaj, të hënën, në ditën kur u publikua lajmi
“Tom Hanks i mbron serbët: Kosova është Serbi”, i kishte thënë gazetës
se nuk e beson një lajm të tillë