Izet Mexhiti: Shkupi s'ekziston pa shqiptarët
Kryetari aktual i Çairit, Izet Mexhiti para të pranishmëve ka theksuar disa nga projektet e tij më të mëdha të realizuara në mandatin e tij, ndërsa ka porositur se në të ardhmen do të vazhdojë të punojë edhe më shumë. “Në fshatin që duket nuk duhet kallauzë, prandaj veprat flasin vetë. Të gjithë le ta dinë se Shkupi nuk mundë të jetë i tërë pa shqiptarët. Kur ka vend për Filipin ka vend edhe për Hasan Prishtinën, kur ka vend për Car Samolin ka vend edhe për Skëndërbeun”, ka thënë Mexhiti para të pranishmëve.
Ai ka renditur realizimin e projekteve për gasifikimin e Çairit si komuna e parë që do të gazifikohen në Shkup, ndryshimin e emrave të shkollave, vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës, ndërtimin e Sheshit “Skënderbeu”, rinovimin e shkollave dhe rrugëve etj, raporton Zhurnal.
Kandidati për kryetar të Shkupit, Artan Grubi ka theksuar se vjen nga një familje e vjetër e Shkupit dhe do të përpiqet maksimalisht që në Shkup të gjallërojë edhe më shumë frymën dhe kulturën shqiptare.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti tha se arsyet pse duhet të votohen kandidatët e BDI-së janë të shumta, ndërsa Shkupi ka qenë në epiqendrën e kësaj partie duke ia kthyer atij frymëzimin shqip.