MUP-i serb do të transformohet në Policinë e Kosovës
Në veriun e Kosovës veprojnë ilegalisht rreth 500 pjesëtarë të MUP-it, të cilët janë të armatosur dhe të pranuar në mënyrë zyrtare në Kralevë të Serbisë.
Burime të besueshme të Kohës Ditore, të përfshira në procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës e Serbisë, kanë treguar të shtunën se tashmë ka një pajtueshmëri ndërmjet palëve që një pjesë e strukturave ilegale të sigurisë të transformohen në organet e rendit. Të tillë procesi, në baza vullnetare, do t’i nënshtrohen vetëm ata pjesëtarë të përfshirë në të tilla struktura, e që janë banorë të Kosovës. Nuk do të vlejë kjo edhe për qytetarët e Serbisë, por edhe për kosovarët përgjegjës për ndonjë krim.
“Në veri ndodhet një strukturë sigurie mirë e organizuar dhe kontrollohet në mënyrë hierarkike nga Beogradi. Serbia ka pranuar të heqë dorë nga ky organizim dhe ne presim që në takimin e radhës (të dialogut Kosovë-Serbi v.j.) të gjendet zgjidhja për akomodimin e pjesëtarëve të tyre në zinxhirin komandues të organeve respektive të sigurisë të Republikës së Kosovës”, ka thënë burimi i Kohës Ditore. “Janë dy struktura me shtrirje të gjerë në veri, të cilat mund të transformohen – ajo e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) dhe Mbrojtja Civile, që është formacion i Ministrisë së Mbrojtjes”.