Perleshje Në Aeroportin e Prishtinës
Një problem që kishin tash e sa kohë dy familje, që janë të afërta mes vete, ka rezultuar me dy persona të plagosur. E gjithë ngjarja ka ndodhur rreth mesditës të së shtunën në Aeroportin e Prishtinës. Në parkingun e aeroportit një person me armë zjarri besohet se me revole ka plagosur dy persona të tjerë. Gjendja shëndetësore e të plagosurve, sipas Policisë së Kosovës, është jashtë rreziku për jetë. Viktimat janë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike për shërim mjekësor. Policia ka thënë se ata janë qëlluar në këmbë. Zyrtarët policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë pranuar informacionin se në parkingun komercial të aeroportit ishin dëgjuar të shtëna me armë të zjarrit. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë në vendin e ngjarjes kanë arrestuar dy të dyshuar (me inicialet B.A , viti i lindjes 1982 dhe K.A viti i lindjes 1988). “Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se njëri nga të dyshuarit ka përdorur armën e zjarrit (një pistoletë) duke shtënë në drejtim të dy viktimave, të cilët në atë moment ndodheshin në hapësirën e parkingut komercial të Aeroportit”, thonë zyrtarë për media në polici. Një burim nga policia ka treguar se motivet e kësaj plagosjeje kanë të bëjnë me një mosmarrëveshje që këto dy familje kishin rreth një vajze. Dy të lënduarve u është dhënë ndihma e parë nga mjekët e aeroportit dhe pas këtij tretmani mjekësor janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare. Zyrtarët e policisë kufitare të Aeroportit kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe lidhur me këtë rast është njoftuar edhe nënstacioni policor i Magurës. Nga personat e dyshuar tashmë të arrestuar policia ka konfiskuar një armë të zjarrit – pistoletë. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokuroria kompetente kurse policia është në proces të grumbullimit të informacioneve rreth motivit të mundshëm të këtij incidenti E policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar se të premten rreth orës 21 e 30 minuta ka pasur të shtëna armesh edhe te Mensa e Studentëve Të shtëna me armë te Mensa e Studentëve. Zëdhënësi i policisë, Brahim Sadriu ka thënë se në afërsi të Mensës së Studentëve ka pasur një incident në të cilin janë përdorur armë. “Ngjarja është regjistruar rreth orës 21 e 30 minuta. Deri tash policia nuk ka pasur informata që ka të lënduar. Po ashtu, nuk ka të arrestuar. Policia ka konfiskuar disa gëzhoja si dëshmi dhe gjendet në vendin e ngjarjes duke kryer hetime”, ka thënë ai. Besohet se dy grupe personash kanë shtënë me armë në drejtim të njëri tjetrit nga veturat në lëvizje.