Majlinda Kelmendi triumfon në Duesseldorf
Kelmendi në turneun që ka fond shpërblyes prej 100 mijë dollarëve, garoi të shtunën. Deri te titulli i kampiones në kategorinë deri 52 kg arriti pas katër fitoreve. Në rrethin e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytin e mposhti mongolezen Bat-Erdene Baljinnyam, që renditet e 37-ta në botë. Fitoren e parë e arriti me dy "Yuko", pas pesë minutave luftë. Në të vërtetë të gjitha luftërat e Kelmendit zgjatën nga pesë minuta. Më pas radha i erdhi holandezes Birgit Ente që renditet e 130-ta në botë. Atë e mposhti me një "Yuko". Në gjysmëfinale Kelmendi ishte më e mirë se garuesja e Koresë së Jugut, Mi-Ri Kim, që më herët kishte mposhtur xhudisten më të mirë në botë, Yuka Nishidan. Kimin që renditet e 19-ta e mundi me një "Waza-ari" e një "Yuko". Në finale Kelmendi dominoi plotësisht duke e mposhtur Chitun me një "Waza-ari". Chitu është e teta në ranglistën botërore. Kelmendi është e katërta, por pas këtij suksesi do të ngrihet në pozitën e dytë. Ajo me triumfin në Duesseldorf siguroi 300 pikë.
"U paraqitën xhudistet më të mira në botë dhe konkurrenca ishte shumë e fortë. Për shkak të konkurrencës ky sukses i Kelmendit ka vlerë të madhe", ka thënë përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, shkruan sot Koha Ditore. "Në dy luftërat e para nuk u paraqit shumë mirë, u tregua e kujdesshme. Në gjysmëfinale dhe finale Majlinda shkëlqeu".
Kelmendi para dy javësh fitoi medaljen e argjendtë në turneun "Grand Slam" të Parisit që llogaritet i një niveli me kampionat botëror. Në Duesseldorf ajo sërish tregoi që i takon elitës botërore të xhudos.
"Duket se këtë vit Majlinda është pjekur dhe është e gatshme për të arritur sukseset e mëdha. Ajo tani ka fituar medalje në të gjitha garat duke përjashtuar kampionatet botërore dhe evropiane për seniore. Tani synim i radhës është titulli i Evropës. Me formën që po tregon, Majlinda është garuesja më e mirë në Evropë", ka shtuar Driton Kuka.
Në Duesseldorf garoi edhe Nora Gjakova, që humbi luftën e parë në kategorinë deri 57 kg. Gjakova u mposht nga japonezja Megumi Ishikawa. Gjakova është e 34-ta në ranglistën botërore, ndërsa Ishikawa e 28-ta. Japonezja në fund fitoi medaljen e bronztë.