Published On:02 June, 2011
Posted by Vnb-Snorki
Endrra per te pasur nje shtepi
Një shtëpi tënden? Një ëndërr e pamundur, privilegji i shumë pak njerëzve, dëshira e shumë prej tyre dhe në të vërtetë, një realitet i humbur. Të paktën për ata që janë 30 vjeç, e kanë punën e pasigurt e që nuk paguhen më shumë se 1 mijë euro, e shpesh edhe në këtë moshë pranojnë ndihmat e prindërve apo të gjyshërve. Anglezët e quajnë “generation rent”, ose “brezi i qirasë”, dhe nuk është vetëm një metaforë për të identifikuar të rinjtë e rrjetit, ata që kanë zgjedhur një stil të veçantë jetese të kushtëzuar nga shumë faktorë. Në fakt “brezi i qirasë” që përfshin moshën 20-45 vjeç është ai i të rinjve që nuk do kenë mundësi për të blerë kurrë një shtëpi, që nuk do të ketë kurrë kapital mënjanë për të hedhur rrënjët të sigurta në një vend. Ashtu siç shkruan “Guardian” kjo është bota e atyre që jetojnë me qira: studentë, të dashur, familje të reja apo gjithmonë e më shumë edhe profesionistë në fillim të karrierës së tyre. Por mes tyre, edhe ata që e kanë humbur shtëpinë tashmë. Sot të kursesh po bëhet thuajse një mision i pamundur. Brezi i qirasë, thonë ekonomistët, po çon drejt një ndryshimi radikal të një koncepti të pasurisë, një problem ky shumë i theksuar europian. Italia, për shembull, konsiderohet vendi i pronarëve të vegjël, rreth 74 për qind e tyre zotërojnë një shtëpi të vogël, edhe ata të brezit “baby boomers” kanë arritur të vënë para mënjanë e të kenë një shtëpi, ndërsa për fëmijët e tyre rruga do të jetë shumë e vështirë, siç tregon një studim i fundit. Gjithsesi ky fenomen nuk është vetëm italian. Në disa prej vendeve kryesore të Europës, janë 7 milionë të rinj me moshë nga 18 deri në 34 vjeç që jetojnë me prindërit. Rreth 60 për qind e tyre merr një rrogë mujore jo më shumë se 1 mijë euro. E pikërisht këta persona që sot marrin një rrogë prej 1 mijë eurosh, sipas një studimi në vitet e ardhshme, do të jenë të paktën 15 milionë familje. “Nëse marrim parasysh që në shumë zona qendrore të qyteteve të mëdha qiraja nuk është më e lirë se 1100 euro në muaj dhe që brenda një dhjetëvjeçari çmimet e shtëpive janë rritur me 100 për qind, kuptohet se për një pjesë shumë të madhe të popullsisë, jo vetëm blerja por edhe pagesa e qirasë është bërë një sfidë e pamundur. Si për qiranë, ashtu edhe për të marrë një hua bankare, kërkohen garanci tashmë të pamundura për rreth 60 për qind të popullsisë, e kryesisht të rinjtë që kanë paga jo të larta dhe punë të pasigurta. E në fakt, bota ka ndryshuar, dhe kriza ekonomike e ka transformuar thellësisht atë. Për të dalë nga ky problem që i detyron të rinjtë të rrinë ende me familjet edhe në moshën kur duhet të kenë shtëpinë e tyre, duhet të hyjnë në shërbime dhe banesat sociale. Gjithsesi kjo është një zgjidhje nga halli. Sepse rreth 83 për qind e atyre që jetojnë me prindërit thonë se duan të largohen sa më parë që të jetë e mundur. Përse? Dëshirë për pavarësi ekonomike, dëshirë për t’u martuar apo bashkëjetuar, shtysë për ta përballur jetën i vetëm. “Por ashpërsia e tregut imobiliar bën që edhe brezi i të rinjve me qira që mund të lëvizin nga një vend në tjetrin për të gjetur punë, duke pranuar detyra dhe kontrata larg shtëpisë, nuk mund t’i shfrytëzojë këto raste në shumicën e kohës, sepse rrogat janë të ulëta në krahasim me qiranë”, tregojnë ekonomistët. Në fakt llogaritet se për të përballuar një qira që shkon te 1000 euro në muaj, duhet të kesh një rrogë të paktën 2500 euro, por punë të tilla nuk gjenden lehtë. Në fakt, në të gjithë Europën Veriore dhe në Amerikë, ideja e të jetuarit në një shtëpi me qira, ndoshta edhe për gjithë jetën, është shumë e konsoliduar.
Ndarja e qirasë të jep mundësi të jetosh në shtëpi të bukura dhe shoqëri të mirë. Kështu shkruhet edhe nëpër gazeta ku lajmërimet për të ndarë së bashku shtëpinë janë të shumta: “Kërkoj të ndaj shtëpinë me dy persona, të shoqërueshëm dhe të sjellshëm”. Shtëpi të përbashkëta me miqtë, jo vetëm kur je student, por edhe kur ke një punë dhe i ke kaluar të 30-at. Gjithmonë e më shumë të rriturit e sotëm po jetojnë si miqtë në serialin e famshëm “Friends”. Në shumë vende të Europës, në tre vitet e fundit, numri i 35-vjeçarëve që bashkëjetojnë është dyfishuar. Në botë, po lulëzojnë gjithmonë e më shumë faqet e internetit që u kushtohen lajmërimeve të tilla. “Okroommate” është një sajt që ofron dhoma me qira në 5000 qytete të 50 vendeve. Ndërkaq anglezja “Easyroommate” tregon se janë rreth 2,700,000 të rinj në Britaninë e Madhe që ndajnë bashkë banesën, detyrat dhe radhën për të bërë punët e shtëpisë. Në Francë, sajti “Colocation” i krijuar dhjetë vjet më parë të ofron lloj-lloj mundësish për ta zgjedhur ashtu siç duhet shokun e dhomës. Aty mund të gjesh, sipas preferencave të tua, moshën dhe seksin, nëse shoku është duhanpirës apo jo, si dhe shumë detaje të tjera për njeriun me të cilin do të vendosësh të ndash jetesën. Bashkëjetesa mes miqve apo personave që nuk njihen fare e që e gjejnë njëri-tjetrin përmes internetit apo lajmërimeve në gazetë është diçka fare e zakonshme. Në Angli, sipas një studimi të kryer tek 800 mijë persona me moshë nga 20 deri në 45 vjeç, vetëm 5 për qind e tyre po sakrifikojnë për të pasur një shtëpi, ndërsa 95 për qind nuk ka ndërmend fare ta bëjë një gjë të tillë. Aty mosha mesatare kur të rinjtë vendosin të marrin një shtëpi me qira është 16 vjeç, ndërsa 37 është mosha mesatare e atyre që blejnë shtëpi me asistencë financiare. Sipas të dhënave të “National House Federation”, kjo shifër mund të shkojë në 43. Kush nuk ka mbështetjen e prindërve, jeton me qira në Londër dhe përpara se të blejë, shpenzon 350 mijë euro për 31 vje