Published On:16 April, 2013
Posted by Vnb-Snorki
Del Boske ëndërron një finale Real-Barça
Vicente Del Boske ëndërron një finale të madhe
spanjolle mes Real Madrid dhe Barcelonës në Ligën e Kampioneve, për t’i
treguar të gjithë botës hegjemoninë e futbollit spanjoll. Trajneri i
kombëtares së Spanjës është i bindur se ky do të ishte një tjetër hap
shumë i rëndësishëm i futbollit spanjoll, i cili në vitit e fundit ka
dominuar çdo aktivitet në kombëtaret, ndërsa tani ka shansin ta bëjë një
gjë të tillë edhe me klubet.
“Të
gjithë dëshirojmë një finale mes Realit dhe Barçës. Në këto vite të
fundit, për më shumë se një dekadë, ka pasur një hegjemoni të ekipeve
spanjolle në Evropë, pasi atyre i janë bashkuar skuadra si Vijareal,
Deportivo La Korunja apo Sevilja që i kanë ndihmuar në një arritje të
tillë”.
“Një finale evropiane mes Real Madrid
dhe Barcelonës do të jetë e shkëlqyer edhe për faktin se pjesa më e
madhe e lojtarëve janë pjesëtarë të ekipit kombëtar dhe një përballje
mes tyre do të jetë një hap më shumë për futbollin spanjoll”, deklaroi
trajneri i përfaqësueses.
Del Boske duket se
nuk shqetësohet nga fakti se një nga të besuarit e tij, Iker Kasijas, ka
humbur vendin në formacionin e Realit dhe duke parë formën e Diego
Lopez, vështirë se do ta rifitojë atë.
“Problemin
e Kasijas do ta zgjidhim kur të vijë koha e duhur”, tha ai, duke shtyrë
për pas sezonit diskutimin nëse kapiteni do të grumbullohet apo jo për
Kupën e Konfederatave.