Kuvendi sot prapë për bordet, e opozita për bojkot
Opozita, përkatësisht përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike ka paralajmëruar bojkotimin e punës së Kuvendit nëse sërish në listën për borde të BQK-së e të AKP-së do të jenë njerëz partiakë, do ta braktis sallën.
Do të zhvillohet një debat parlamentar lidhur me gjendjen e sportit në Kosovë. Në vazhdim do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kurse në përfundim të seancës do të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Në seancën e pasdites, ndërkaq, pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta të Kuvendit të Kosovës: koha për deklarime jashtë rendit të ditës, dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët parashihet të zhvillojnë debat parlamentar lidhur me mos ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për pagat e punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut në Ferizaj. Kërkesën për debat e ka shtruar Grupi Parlamentar i LDK-së.
Pikë e fundit e rendit të ditës për këtë seancë do të jetë njoftimi i Grupit Parlamentar 6+ lidhur me marrëveshjen për ndërrimin e Anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, si dhe kërkesat e disa deputetëve nga komunitetet tjera jo shumicë për zëvendësimin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit nga radha e tyre.
Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e Statutit ë Universitetit Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, si dhe atë për miratimin e Statutit të Universitetit Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, Kryesia ua ka deleguar Komisionit për Arsim.