Agensa Vuthaj: Ne jete bej llogari
Në karrierën e saj si miss numëron tri kurora. Agnesa Vuthaj mbahet mend si kosovarja që rrëmbeu kurorën e “Miss Albani 2004”, ndërsa tashmë, pas shtatë vitesh rikthehet në një garë plot tension kërcimi në ‘Dancing with the stars Albania”. Dikur, një adoleshente që s’ishte e bindur për bukurinë e saj, tanimë një vajzë biznesmene në Kosovë, e cila organizon konkursin e përvitshëm të miss-eve. Në këtë intervistë zbulon Agnesën që fshihet pas portretit të vajzës së ndrojtur dhe të qetë. Ndryshe nga bukuroshet romantike e të brishta, ajo zbulon vizionin e saj për jetën. Edhe pse është ende 25 vjeç, pohon se në jetë ecën vetëm me llogari, pa rënë pre e emocioneve.
Agnesa tashmë që gara e DWS është ngushtuar, për çfarë po kujdesesh më shumë këto pak javë?
Unë më shumë po kujdesem për perfeksionimin e kërcimeve dhe për të pasur sukses, pasi tashmë që performojmë me dy kërcime, gara jonë në një natë është më e vështirë. Por, për mua është shumë e rëndësishme të dal mirë, ndërsa për fitoren nuk shqetësohem që tani.
Kë sheh si konkurrent më të fortë mes VIP-ave që janë në garë?
Mendoj se e vetmja femër që ka mbetur veç meje, Çiljeta, ka evoluar mirë këto javë. Ndërsa, për meshkujt që janë Shpati, Enveri dhe Big Basta, do të veçoja Enverin për energjinë e tij dhe do e përgëzoja shumë, pasi ai më duket më energjiku nga të gjithë ne. Po ashtu, Shpati dihet që kërcen mirë dhe Big Basta më duket shumë mirë. Nuk di të jap një përgjigje të prerë për konkurrentin më të fortë, pasi më duket e çuditshme që sa më shumë ngushtohet rivaliteti, aq më shumë afrohemi me njëri-tjetrin.
Nga konkurrentët VIP meshkuj, cilin do zgjidhje partner?
Do zgjidhja Enverin për një tango ose vals, sepse mendoj që do të realizohej një balet me shumë klas dhe elegancë. E kam nga Kosova Enverin, e kam mik dhe besoj që do të realizonim një balet të bukur.
Ndërkohë që, shumë është folur për një afeksion mes teje dhe partnerit tënd, balerinit Italian Simore. E keni diskutuar të dy mundësinë e një lidhjeje?
Është menduar nga publiku se mes nesh mund të ndodhë diçka dhe të dy thjesht kemi diskutuar komentet e medias rreth nesh. Por jemi takuar në momente pune dhe, në këtë rast s’kemi pasur as unë, as ai ndonjë interes për të krijuar lidhje, ndoshta dhe për faktin se ai do kthehet në Itali e unë në Kosovë pas spektaklit dhe ndoshta do ishte një lidhje pa të ardhme. Por as unë nuk jam e gatshme të krijoj një lidhje për momentin, edhe ai po ashtu besoj. Për më tepër që është shumë më i ri se unë, vetëm 21 vjeç , ndërkohë që unë jam 25 vjeç.
Mirëpo kjo kur fut logjikën në mes, por kur flitet për ndjenja jo gjithmonë mund të bëhen llogari…
Ah, nuk e di për të tjerët, por unë gjithçka për vete në jetë e bëj me llogari.
Çfarë llogarie ke bërë para se të hyje në këtë garë për shembull?
Në fakt, e kam ndjekur vitin e kaluar këtë spektakël dhe kam shpresuar që do më ftojnë të jem pjesë e garës. Por kur ma bënë ftesën këtë vit, isha më e ndrojtur, pasi jam tip paksa i ftohtë dhe i tërhequr, s’jam nga ata tipa që kërcej kudo ku ka muzikë pa problem. Ndaj fillimisht u ndjeva e frikësuar se mos dukesha qesharake ne skenë. Por, dëshira e madhe mbizotëroi dhe tani besoj që më eci shumë mirë.
Të pyeta për llogari në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, çfarë mendove se do të përfitoje?
Ka shumë anë pozitive pjesëmarrja, ashtu siç i kam llogaritur unë në mendje. Është spektakël i njohur në botë, i cili po më mëson të kërcej. Do më shërbente si periudhë relaksi, pasi sapo kisha përfunduar “Miss Kosova” dhe për karrierë më intereson më shumë çmimi si çmim, sesa dhurata, që në këtë rast është makina Jaguar. Dhe jo vetëm se jam mirë me gjendjen time ekonomike, por të njëjtën ide kam pasur edhe kur kam fituar konkurset e bukurisë. Atëherë më janë premtuar shumë dhurata që s’i kam marrë kurrë. Por, prapë kam bërë llogari dhe më mirë që kam dalë e fituar në karrierën time, sesa të merrja ato dhurata dhe të mos isha askush sot.
Mendon se bukuria të ka ndihmuar të të hapen më shumë dyer, të bën të qenit e bukur të lumtur?
Patjetër. Nëse je e bukur, ke shumë përparësi në jetë. Por, kur nisa të marr pjesë në spektaklet e bukurisë, isha vetëm 17 vjeç, s’e dija që isha e bukur. Mua më kanë ftuar të marr pjesë dhe kam provuar. Familjes sime kur kam vendosur të marr pjesë, u është dukur e çuditshme dhe më kanë thënë që është vendim yti. Tashmë nuk mendoj shumë për bukurinë, e kam kaluar atë fazë në adoloshencën time.
Për sa i përket jetës private, planeve të tua… Je nga ato vajza që të pëlqen ta zgjasësh sa më shumë lirinë pa menduar martesën?
Unë jam rritur me shumë liri, jetoj e lirë, vetëm. pa familjen time. Por, nuk jam nga ato femra që s’duan të martohen. Unë, nëse do ta takoj njeriun e duhur, jam në gjendje të martohem pa e diskutuar.
Ti je shprehur në media se burrin e jetës e dëshiron shqiptar. Pse jo një të huaj?
Në fakt, nuk është një përcaktim përfundimtar, por është një preferencë imja, pasi asnjëherë s’kam menduar të martohem me një të huaj. Edhe pse udhëtoj shumë, deri tani nuk kam takuar asnjë të huaj që të më tërheqë dhe të mund krijoj një raport.
Deri tani, si një vajzë biznesi, të ka ndodhur të takosh më shumë njerëz interesantë apo të zakonshëm?
Patjetër njerëz interesantë, pasi me njerëz që s’më tërheqin, nuk merrem fare.